Autoritetet shqiptare janë vënë nën presion ndërkombëtar për të arrestuar dhe ndjekur penalisht kryerabinin e vendit, Yoel Kaplan, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Lajmi u publikua ekskluzivisht nga portali britanik Middle East Eye, duke ndezur debat mbi rolin e figurave fetare në konflikte të armatosura.
Kaplan, shtetas izraelito-amerikan dhe udhëheqës i komunitetit hebre në Shqipëri, është gjithashtu pjesëtar aktiv i ushtrisë izraelite.
Pamje të publikuara nga MEE e tregojnë atë në uniformë ushtarake me batalionin e 55-të të divizionit të 98-të, në zonat e shkatërruara të Gazës.
Dosja kundër tij iu dorëzua të mërkurën Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë nga Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi për Palestinezët (ICJP), një organizatë me seli në Londër.
Në deklaratën e ICJP thuhet se ekzistojnë arsye të forta për të besuar se Kaplan ndodhet aktualisht brenda territorit shqiptar, dhe se autoritetet duhet të veprojnë menjëherë për ta hetuar dhe arrestuar. Emri i tij nuk u përmend zyrtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për arsye ligjore, por burime të pavarura në Shqipëri e konfirmuan identitetin për Middle East Eye.
Kaplan, i cili ndan kohën mes Shqipërisë, Izraelit dhe Selanikut, ka qenë i pranishëm në Gaza gjatë operacioneve ushtarake të Izraelit. Në një intervistë për MEE, ai hodhi poshtë protestat pro-palestineze në Shqipëri si “të vogla dhe të parëndësishme”, duke shtuar me ironi: “Publiciteti i keq është prapëseprapë publicitet i mirë.”
I pyetur për konfliktin e mundshëm mes rolit të tij si udhëheqës shpirtëror dhe pjesëmarrjes në operacione ushtarake, Kaplan u përgjigj shkurt: “Jo.”