Ambasada e Francës në Prishtinë ka njoftuar për angazhimin e vazhdueshëm të Xhandarmërisë Kombëtare Franceze në mbështetje të sigurisë në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta evropiane për stabilitet rajonal.
Në një deklaratë zyrtare, Ambasada thekson se Franca është krenare për kontributin e saj në forcimin e sigurisë së të gjitha komuniteteve në vend.
Si pjesë e forcës shumëkombëshe EUROGENDFOR, xhandarmëria franceze po merr pjesë në dislokimin e Njësisë së Policisë Rezervë të Trajnuar të EULEX-it (RFPU), një komponent kyç për mbështetjen e rendit dhe ndërtimin e besimit publik, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen së shpejti.
Ky angazhim, sipas ambasadës, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Francës dhe forcave të saj të sigurisë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Dislokimi i RFPU-së vjen në një moment të ndjeshëm politik, ku siguria dhe besimi institucional janë thelbësore për mbarëvajtjen demokratike të procesit zgjedhor.
Përmes këtij bashkëpunimi, Franca riafirmon rolin e saj si partner strategjik në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në terren.