Marina Franceze ka realizuar njërën nga kapjet më të mëdha të kokainës në historinë e saj, duke sekuestruar 9.6 tonë të kësaj lënde narkotike, me një vlerë tregu që tejkalon 500 milionë euro.
Operacioni u zhvillua pranë brigjeve të Afrikës Perëndimore, në kuadër të misionit të sigurisë detare “Corymbe”.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Rajoni Detar i Atlantikut, aksioni u krye nga dy anije të Marinës Franceze, në bashkëpunim me shërbimet antidrogë, inteligjencën detare franceze dhe policinë britanike.
Objektiv i operacionit ishte një anije peshkimi pa flamur shtetëror, e dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ky operacion përfaqëson suksesin më të madh të Marinës Franceze për vitin 2025, i cili tashmë po konsiderohet si një vit rekord në luftën kundër trafikut të drogës.
Deri në fund të muajit gusht, forcat detare franceze kishin sekuestruar afro 6 tonë kokainë vetëm në rajonin e Afrikës Perëndimore – duke e çuar totalin në mbi 15 tonë të sekuestruara këtë vit.