Ndërsa liderët botërorë janë mbledhur në selinë e Kombeve të Bashkuara për punimet e Asamblesë së Përgjithshme, Serbia ka shfrytëzuar momentin për të intensifikuar fushatën e saj propagandistike kundër Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.
Në rrugët e qytetit janë vërejtur kamioneta të mbuluara me postera të mëdhenj, ku shfaqet fotografia e Kurtit e shoqëruar me akuza të rënda. Mesazhet e shkruara në anglisht përfshijnë:
– “Albin Kurti and his regime are arresting and harassing Serbian children” (Albin Kurti dhe regjimi i tij po arrestojnë dhe po ngacmojnë fëmijët serbë)
– “Serbian Christian churches and cemeteries are continuously being desecrated” (Kishat dhe varrezat kristiane serbe po përdhosen vazhdimisht)
Kjo formë e propagandës vizuale, e vendosur në një nga skenat më të rëndësishme të diplomacisë globale, synon të ndikojë opinionin ndërkombëtar dhe të paraqesë Kosovën si një shtet që shkel të drejtat e komunitetit serb.
Zyrtarët kosovarë nuk kanë reaguar ende zyrtarisht ndaj kësaj fushate, por burime diplomatike e cilësojnë atë si një përpjekje të koordinuar për të devijuar vëmendjen nga tensionet e brendshme në Serbi dhe për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në një moment kyç për afirmimin e saj në skenën globale.
Fushata vizuale në rrugët e New Yorkut vjen në një kohë kur Kosova po kërkon mbështetje më të gjerë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe për forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.