Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë të enjten një marrëveshje që do t’i mundësojë platformës TikTok të vazhdojë operimin në Shtetet e Bashkuara nën kushte të reja sigurie. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CBS News.
Marrëveshja, e përshkruar nga administrata si një “shkëputje e kualifikuar”, do të plotësojë ligjin dypartiak që kërkon nga kompania kineze ByteDance të shkëpusë lidhjet me aplikacionin ose përndryshe të përballet me ndalimin e tij në mbarë vendin.
Sipas planit, kompania amerikane Oracle do të marrë përgjegjësinë për ruajtjen e të dhënave të përdoruesve amerikanë dhe për sigurinë e aplikacionit, duke shqyrtuar gjithashtu kodin për të garantuar që algoritmi funksionon siç duhet. Një pjesë e aksioneve të TikTok do t’u kalojnë investitorëve amerikanë, përfshirë Oracle.
Algoritmi i fuqishëm i rekomandimeve i ByteDance do të kopjohet dhe trajnohet sërish vetëm mbi bazën e të dhënave amerikane, pa ndërhyrje nga jashtë.
“Ne jemi 100% të bindur se ky propozim, nëse finalizohet, është në përputhje me ligjin,” tha zyrtari i administratës, duke shtuar se marrëveshja respekton të gjitha rregullat dhe politikat përkatëse.
Megjithatë, jo të gjithë ligjvënësit janë të bindur. Kongresmeni John Moolenaar, kryetar i Komitetit për Kinën në Dhomën e Përfaqësuesve, paralajmëroi se marrëveshja mund të mbajë ende varësi nga algoritmet dhe teknologjia e ByteDance, gjë që, sipas tij, mund të lejojë ndikim të vazhdueshëm nga Partia Komuniste Kineze.
Ligji i miratuar dhe i mbështetur nga Gjykata e Lartë ndalon çdo lidhje operative mes TikTok-ut të kontrolluar nga SHBA dhe ByteDance, ndërsa i lë presidentit autoritetin për të vendosur se çfarë konsiderohet “shkëputje e plotë”.