Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda Mbështetëse e FARSH-it, i kryesuar nga komandanti Aleksandër Pando, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komandën e Logjistikës të FSK-së.
Delegacioni u prit nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, i cili i informoi për të arriturat, sfidat dhe zhvillimet në fushën e logjistikës dhe mjekësisë ushtarake.
Sipas njoftimit të FSK-së, vizita përfshiu prezantime mbi strukturën organizative, rritjen e kapaciteteve logjistike, misionin e komandës si dhe aktivitetet në mirëmbajtjen e automjeteve të rënda, ku delegacioni pati mundësi të shohë nga afër funksionimin e servisit teknik.
“Gjatë kësaj vizite u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve logjistike dhe mjekësore, përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy forcave,” thuhet në komunikatën e FSK-së.
Ky takim përbën një tjetër hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet FSK-së dhe FARSH-it, duke u përqendruar në bashkëpunimin teknik dhe operacional, me qëllim të ndërtimit të një force më të koordinuar dhe më efikase në rajon.