Policia e Kosovës do të organizojë sot një ceremoni zyrtare për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta ilegale. Ngjarja do të mbahet në ambientet e kompanisë Metal 05 SH.P.K., në fshatin Prelez, përgjatë magjistrales Prishtinë–Ferizaj, duke filluar nga ora 09:30.
Në ceremoni pritet të marrin pjesë figura të larta vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, si dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së, ambasadave të shteteve partnere, dhe institucioneve vendore.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Programit të Kosovës për Siguri (KSSP), të mbështetur nga UNDP dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe nga projekti rajonal IPA, që synon parandalimin e posedimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të vogla në Ballkanin Perëndimor.

