Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një deklaratë për FrontOnline, Abazi tha se vizita nuk ka një qëllim të qartë ndërkombëtar, por është e motivuar kryesisht nga interesa elektorale.
“Sigurisht që shteti duhet të përfaqësohet, por gjendja në të cilën jemi më shumë ka efekt elektoral sesa që ka agjendë të saktë,” u shpreh ai.
Abazi vuri në pikëpyetje përgatitjen dhe koordinimin institucional të vizitës, duke theksuar se as kryeministri e as presidentja nuk kanë qartësi për temat që do të shtrohen në këtë ngjarje globale.
“Ne po e shohim se as Presidentja dhe as Kryeministri nuk janë në gjendje të përcaktojnë cilat janë çështjet konkrete të asaj agjende ndërkombëtare,” tha ai.
Duke kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, Abazi e cilësoi atë si “totalisht jofunksionale”, ndërsa theksoi se vitet e fundit Kosova ka përjetuar një rënie të dukshme të pozitës së saj ndërkombëtare.
“Arritjet në pesë vitet e fundit janë degradim i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kosova është në izolim të plotë – edhe diplomatik, edhe të raporteve ekonomike,” theksoi ai.
Ai e cilësoi vizitën si “shpenzim të kotë të buxhetit të shtetit, pa agjendë konkrete, por vetëm me efekt elektoral”.
Abazi shtoi se edhe aktivitetet përkujtimore janë përdorur nga kryeministri për përfitime politike.
“Kurti edhe përkujtimin e Afrim Bunjakut e ka kthyer në fushatë zgjedhore,” përfundoi ai.