Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka sqaruar opinionin publik lidhur me praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex në disa lloje të peshkut të detit dhe oqeanit. Sipas AUV-së, prania e këtyre parazitëve në produktet e ngrira nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, pasi procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta neutralizon efektin e tyre.
Në një komunikatë zyrtare, AUV thekson se peshku i ngrirë mbetet i sigurt për konsum, sidomos kur gatuhet në temperatura mbi 60°C, duke asgjësuar çdo rrezik të mundshëm shëndetësor. Rreziku mund të paraqitet vetëm në rastet kur konsumohet peshk i freskët, i pa trajtuar termikisht apo i pa ngrirë, si në përgatitjet crudo, sushi apo sashimi.
Agjencia bën thirrje që për peshkun e përdorur në këto forma të aplikohen standardet ndërkombëtare, duke u ngrirë paraprakisht sipas praktikave të njohura globalisht dhe legjislacionit në fuqi në Kosovë, i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian.
Sqarimi i AUV-së mbështetet në studime shkencore dhe rekomandime nga autoritete ndërkombëtare si EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore) dhe FAO (Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi).
Në përfundim, Agjencia apelon për qasje profesionale në komunikimin publik, duke kërkuar nga qytetarët, mediat dhe institucionet relevante të shmangin interpretimet e gabuara që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm. AUV siguron se mbikëqyrja dhe kontrolli i sigurisë ushqimore në treg do të vazhdojnë në mënyrë rigoroze, në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare.