Seanca e planifikuar për sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi — është anuluar.
Në njoftimin zyrtar nuk janë dhënë arsyet e anulimit, por është bërë e ditur se seanca e radhës pritet të mbahet nesër, më 30 shtator 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Që nga 15 shtatori, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj, duke thirrur dëshmitarë të rëndësishëm ndërkombëtarë si James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan.
Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa më 14 nëntor është caktuar përfundimi i fazës së mbrojtjes. Parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Katër të akuzuarit ngarkohen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përmes një aktakuze me dhjetë pika e konfirmuar më 26 tetor 2020. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.