Deficiti më i lartë tregtar në histori – AKB: Politikat e Qeverisë po e çojnë vendin drejt varfërisë

by engel

Kosova po përballet me deficitin më të madh tregtar në historinë e saj, ndërsa Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) akuzon qeverinë për mosveprim dhe për një model ekonomik që, sipas tyre, po e shkatërron vendin.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, rikujtoi paralajmërimet e bëra një muaj më parë se importet e vitit 2025 do të arrijnë shifrën rekord prej 7 miliardë eurosh. Të dhënat e 9-mujorit të parë e konfirmojnë këtë trend: importet tashmë kanë kaluar 5 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë rënë me rreth 30 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

banner

“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie të brishtë, që konsumon produkte të gatshme nga jashtë dhe eksporton para të gatshme. Kosova po varfërohet, qytetarët po humbin fuqinë blerëse, e prodhuesit vendorë po mbesin pa përkrahje. Nëse qeveria vazhdon të heshtë, ky vit do të mbyllet me deficitin tregtar më të thelluar në histori,” tha Shahini.

Sipas AKB-së, mungesa e politikave zhvillimore e ka reduktuar ekonominë e vendit në ndërtimtari dhe tregti, duke lënë anash bujqësinë, prodhimin, industrinë nxjerrëse dhe energjinë – sektorë që mund të gjenerojnë zhvillim të qëndrueshëm.

Organizata kërkon nga qeveria masa urgjente: subvencionim të prodhuesve vendorë, lehtësira për eksportuesit dhe hapje tregjesh të reja, orientim të investimeve drejt prodhimit, bujqësisë, industrisë e energjisë, si dhe politika fiskale që fuqizojnë konsumatorët.

“Mirëqenia nuk mund të ndërtohet mbi import e konsum. Pa prodhim, eksport dhe politika të guximshme zhvillimore, Kosova do të mbetet e varur dhe e varfëruar,” përfundoi Shahini.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy