Komuna e Podujevës dyshohet se ka shpërblyer me tenderë kompani që nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore dhe teknike, duke ngritur shqetësime për shkelje procedurale dhe favorizim të operatorëve ekonomikë. Këto gjetje dalin nga raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku theksohet se gjatë vitit 2024 janë evidentuar disa raste të tilla.
Në raport përmendet projekti i madh i kanalizimeve në disa fshatra të Podujevës, me vlerë mbi 3.4 milionë euro. ZKA konstaton se fituesi i tenderit kishte dorëzuar raport të rishikimit të pasqyrave financiare, ndonëse kërkesa e tenderit ishte e qartë për pasqyra financiare të audituara.
Ngjashëm është vepruar edhe në kontratën për rregullimin e hapësirave publike përgjatë Lumit Llap. Në llotin III me vlerë 82 mijë euro, kompania fituese nuk kishte paraqitur certifikatat ISO, ndërsa në llotin IV me vlerë 38,833 euro, menaxheri i kontratës nuk ishte i lidhur drejtpërdrejt me projektin në fjalë, por me punë të tjera elektrike.
Sipas njohësve të fushës së prokurimit, ky është një shembull i qartë i mungesës së respektimit të ligjit dhe rregullave bazë të konkurrencës së drejtë.
“LPP përcakton qartë se operatorët që rekomandohen për kontratë duhet të përmbushin të gjitha kushtet. Përjashtimi i këtyre kritereve jo vetëm që rrezikon realizimin e projekteve, por krijon dyshime të bazuara për favorizim,” tha për gazetën Ardit Dragusha nga Demokracia+.
Përveç këtyre rasteve, ZKA evidentoi mangësi edhe në tenderët për ndërtimin e Shkollës së Mesme Profesionale në Zonën Industriale (2.43 milionë euro), Ndërtimin e Tregut të Gjelbërt (1.44 milionë euro) si dhe Asfaltimin e rrugëve në qytet (në disa llote).
Raporti i ZKA-së pritet të ngjallë debate të reja për mënyrën se si menaxhohen tenderët publikë në Podujevë, ndërsa njohësit e quajnë këtë një rast tipik të keqpërdorimit të procedurave të prokurimit.