Më 13 dhe 14 tetor, Tirana do të bëhet qendra e bashkëpunimit ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke pritur Forumin e parë të Investimeve BE–WB6, i mbështetur nga Komisioni Evropian.
Forumi synon të krijojë ura të reja partneriteti mes vendeve të rajonit – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – dhe shteteve anëtare të BE-së. Ai do të shërbejë si platformë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nxitjen e inovacionit dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik të rajonit në tregun e vetëm evropian.
Ky samit konsiderohet një moment strategjik në procesin e integrimit rajonal dhe një mundësi për të adresuar sfida si barrierat rregullatore, mungesa e financimit apo pasiguritë gjeopolitike.
Përmes dialogut mes investitorëve, politikëbërësve dhe liderëve të biznesit, forumi pritet të nxjerrë në pah potencialin e Ballkanit Perëndimor si destinacion i ri për investime, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm, konkurrueshmërinë globale të BE-së dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes rajonit dhe Evropës.