Analisti politik Visar Ymeri ka dalë me një reagim të ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për kontradikta të rrezikshme dhe për neglizhencë në raport me sfidat strategjike të Kosovës.
Në një postim në rrjete sociale, Ymeri ka vënë në dyshim logjikën e Kurtit, i cili sipas tij, minimizon lidhjen e Serbisë me Rusinë, ndërsa shënjestron kritika ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qëndrimet e tyre lidhur me veriun e Kosovës.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë e rajon kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë, demokracinë dhe progresin?”, shkruan Ymeri, duke e përshkruar Serbinë si një shtet të armatosur, autoritar dhe burim destabilizimi për gjithë rajonin – nga Bosnja e Hercegovina e deri në Maqedoninë e Veriut.
Ai shkon më tej, duke akuzuar Kurtin për mospërfillje ndaj rrezikut rus, ndërkohë që në raport me SHBA-të, kryeministri ka marrë një qasje përçarëse. Ymeri i referohet deklaratave të Kurtit para studentëve, ku ky i fundit kishte sugjeruar se amerikanët po e penalizojnë Kosovën kur ajo lufton krimin në veri.
“Kurti po thotë që ShBA përkrahin krimin në veri, sepse e sanksionojnë Kosovën kur ajo vepron. Pra, për të nuk qenka problem ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë,” shkruan Ymeri me ironi të hidhur.
Duke e cilësuar këtë qasje si “freestyling politik” – një improvizim i shpejtë pa reflektim të thellë – Ymeri shpreh shqetësim se këto mund të mos jenë vetëm lëshime të rastësishme të kryeministrit, por një model i rrezikshëm retorike që i kushton Kosovës në raportet me aleatët e saj më të fuqishëm.