Ish-kryetarja e LSI-së dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar ndaj akuzave për pasuri të pajustifikuar, duke sqaruar situatën financiare të familjes së saj përmes një rrëfimi në emisionin “Log.” në News24.
E pyetur nëse është e pasur, Kryemadhi u shpreh se për të pasuria nuk matet me para apo prona, por me vlerat familjare. “Pasuria për mua është familja. Unë nuk jam as e pasur, as e varfër. Kam lindur në mes të Tiranës,” tha ajo, duke theksuar se gjithçka në jetën e saj ka qenë e dokumentuar dhe transparente
Ajo tregoi se që në vitin 1995, familja e saj ka pasur të ardhura nga kontrata qiraje të ligjshme dhe të noterizuara nga një apartament në zonën e Shallvareve. “Kam një kontratë qiraje të noterizuar që daton 27 shtator 1995, me 500 dollarë të ardhura mujore për tre vite rresht,” sqaroi Kryemadhi, duke shtuar se këto të ardhura ishin vetëm një pjesë e burimeve familjare.
Në vijim, Kryemadhi listoi edhe kontratat e tjera të mëvonshme, të cilat, sipas saj, kanë qenë të gjitha të noterizuara dhe të shoqëruara me mandatet përkatëse të pagesës së tatimeve. “Në vitin 1999 kemi pasur një tjetër kontratë me 1.5 milionë lekë në muaj, ndërsa nga viti 2001 deri në 2006 kemi pasur një tjetër me 2.5 milionë lekë në muaj,” deklaroi ajo.
Ajo këmbënguli se çdo e ardhur është e dokumentuar dhe e justifikuar përmes kontratave dhe dokumenteve tatimore