Shumë motoristë me 15 tetor do të marrin rrugën për në Hagë. Rrugëtimi që parashihet të zgjas katër ditë do të bëhet për të treguar që janë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ismail Tasholli nga “Liria ka Emër” në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar shtetet nëpër të cilat do të kalojnë për të arritur tek vendi edhe ku do të shprehin një zëri pakënaqësinë për gjykimin që po iu bëhet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Ai ka treguar edhe për grupet e motoristëve që iu janë bashkuar kësaj ideje.
“Qëllimi është i njëjtë, sikur në organizime tjera që të ndajmë pakënaqësinë me proceset, të bëjmë kërkesë në mënyrë qytetare për drejtësi dhe të ketë transparencë sepse brengat janë të njëjta në vazhdimësi. Ideja është që të fillojmë nga Prishtina më 15 tetor, e kemi kriju këtë mënyrë me motorë, ide tjetër me simbolikë të veçantë. Mandej mënyra se qysh do të udhëtojmë në cilat shtete, e kemi nëpër Mal të Zi, Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Austri, Gjermani, Belgjikë, Holandë. Kemi kontaktu me të gjitha klubet e motoristeve, qofshin ata evropian dhe shqiptarëve që jetojnë në Evropë që gjatë karvanit të na bashkëngjiten që me 19 tetor ditën e diel të jemi në Hagë”, tha Tasholli.
Ndonëse ka ende kohë megjithatë, Tasholli tha se janë rreth 300-500 motoristë që do të nisin këtë rrugëtim.
“Ende nuk e kemi të saktë por përafërsisht duhet të shkoj numri 300-500 motorista, por jam pak i rezervuar në teknikalitete që na vynë edhe të dhënat e vazhdueshme prandaj gjatë kohës mund të ndryshojnë edhe numrat”, theksoi ai duke shtuar se në Hagë do të qëndrojnë për një ditë ndërsa për kthimin ende nuk ka ndonjë plan.
“Atje jemi vetëm një ditë por gjatë rrugës me siguri që do të pushojmë sepse është rrugë e gjatë dhe nuk mundemi për një ditë, pra prej 15 deri më 19 tetor i kemi katër ditë rrugë dhe do e shfrytëzojmë pjesë e skenarit që të na bashkëngjiten klubet e tjera të motoristëve”, sqaroi Tasholli.