Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka përfunduar sondazhet mbi 6 vendbanime të dyshuara, ku gjenden eshtrat e të vrarëve, të burgosurve dhe të pushkatuarve në diktaturë.
Në një takim të mbajtur në Tiranë nga ICMP dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, u prezantua puna e ekipit të arkeologëve dhe antropologëve, të cilët kryen sondazhe në vendvarrimet e dyshuara
Sondazhet janë bërë në Varrezat e Rrmajit në Shkodër, 2 vendvarrimeve në fshatin Shpal në Mirditë, një vendvarrim në Selenicë të Vlorës, një në Shën Vasil në Himarë dhe një në Shelegur, në qarkun e Kolonjës.
Ndërsa gjetjet e sondazheve të kryera konfirmojnë prani eshtrash në këto 6 vendndodhje, raportet përfundimtare do t’u paraqiten autoriteteve në dhjetor të vitit 2025.
Të dhënat që ofrojnë sondazhet, parimisht duhet t’i hapin udhë asaj, por pa miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave është e pamundur nisja e zhvarrimeve e analizave, proces që përfshin Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë, Policinë e Shtetit, prokurorinë e përgjithshme, pushtetin vendor dhe të tjerë aktorë institucionalë.

Ndërsa kërkimi i eshtrave të të burgosurve politikë, të pushkatuarve në diktaturë, është një hap thelbësor në përballjen e Shqipërisë me të shkuarën dhe qasjen e saj mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën për një varr, procesi është zvarritur prej vitesh, pavarësisht konventave të firmosura, zotimeve e detyrimeve të shtetit shqiptar dhe kërkesave e thirrjeve të Bashkimit Europian.
Deri më tani janë regjistruar rreth 400 aplikime nga familjarët e viktimave. Kërkimet do të përballen edhe me terrene që kanë tendencë rrëshqitjeje, zona malore, struktura të mbivendosura, probleme pronësie toke, administrimin e gjetjeve dhe analizat e ADN-së.
Ky është vetëm fillimi i një pune afatgjatë që synon të çojë drejt rezultateve konkrete për familjarët dhe shoqërinë.
