Aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde mbi 1.4 milionë euro, kërkohet konfiskimi i 21 banesave dhe lokaleve

by engel

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për fajde, të cilët dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mbi 1.4 milion euro para dhe prona.

Të pandehurit L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G. dhe K.K. akuzohen për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa disa prej tyre po ashtu për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Detyrim”.

banner

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kontraktuar borxhe me kamatë të lartë, duke detyruar viktimat që të dorëzojnë prona, përfshirë banesa dhe lokale afariste, kur nuk kanë pasur mundësi t’i shlyejnë borxhet.

L.M. ka dhënë shuma të mëdha me kamatë 10% mujore. Për pamundësi shlyerjeje, viktima ka humbur dhjetëra mijëra euro dhe ka dorëzuar dy banesa. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur municion të paautorizuar.

B.K. ka dhënë 75,000 euro me 8% kamatë mujore, duke e rritur borxhin deri në 240,000 euro. Viktima ka dorëzuar një banesë dhe një lokal me vlerë mbi 200,000 euro.

L.A. ka marrë para dhe pasuri të tjera, përfshirë traktorë, bagëti dhe mallra bujqësore, si dhe prona të paluajtshme me vlerë mbi 180,000 euro.

Xh.K. ka dhënë 10,000 euro me 30% kamatë mujore, ku viktima ka paguar mbi 36,000 euro vetëm për kamatë, duke marrë gjithashtu bagëti dhe prona të tjera. Ai është gjetur edhe me armë pa leje.

D.G. konsiderohet përfituesi më i madh, duke marrë para dhe prona me vlerë mbi 760,000 euro, përfshirë mbi 1,000 m² banesa në Shirokë. Ai dyshohet edhe për “Detyrim”, duke përdorur forcë dhe kërcënime ndaj viktimave.

K.K. ka dhënë borxh 2,600 euro me kamatë javore prej 450 euro, duke e rritur shumën në pothuajse 10,000 euro brenda pak javësh.

Gjatë kontrolleve në shtëpitë e të pandehurve janë gjetur armë, municion, telefona, automjete dhe para të gatshme. Prokuroria ka propozuar konfiskimin e gjithsej 21 banesave dhe lokaleve afariste me sipërfaqe mbi 2,200 metra katrorë.

Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale të kthehen në favor të shtetit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy