Analisti Visar Ymeri e ka cilësuar të martën si një “ditë të zezë” për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shkak të dy goditjeve ligjore që ai pësoi në të njëjtën ditë.
Sipas Ymerit, Basha u përball me dënimin nga Gjykata Themelore në Ferizaj për shpifje, si dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është ende i konstituuar, ndonëse Basha e kishte shpallur si të tillë.
“Unë mendoj që kjo është një ditë e zezë për Dimal Bashën. Është dënuar nga gjykata për shpifje dhe sot GJK ka thënë se Basha ka bërë shkelje kur e ka shpallur të konstituar Kuvendin. Që po del që nuk është i konstituuar sipas rregullores edhe parimeve kushtetuese,” deklaroi Ymeri në emisionin Debat Plus.
Ai shtoi se shkelja e Bashës nuk është e vogël, duke e konsideruar si një ndërhyrje ose interpretim arbitrar të Kushtetutës nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
“Nga pozita e kryetarit të Kuvendit e ka bërë këtë shkelje. Që nuk mendoj që është e vogël, se është ndërhyrja apo interpretim arbitrar i kushtetutës…”, tha Ymeri.