Mustafa: Të konstituohet Kuvendi ose zgjedhje të parakohshme, mos të pengohen të drejtat e serbëve!

by engel

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar sipas rregullave kushtetuese. Ai tha se vendimi ishte i pritshëm për këdo që e njeh dhe e lexon drejt Kushtetutën.

“Ka qenë i pritur gjykimi i Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi nuk është konstituar, sepse kështu figuron në Kushtetutë për ata që e lexojnë drejt,” deklaroi Mustafa për IndeksOnline.

banner

Ai theksoi se partitë politike nuk duhet të pengojnë komunitetin serb të ushtrojë të drejtat e tij kushtetuese, pavarësisht ndikimeve që mund të vijnë nga Beogradi.

“Serbët janë deputetë të zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës, me të drejta dhe obligime të barabarta. Nuk mundet një parti të bëjë presion politik mbi partitë e tjera për të penguar një komunitet të realizojë të drejtën e tij që ia jep Kushtetuta, pa marrë parasysh se Lista Serbe ndikohet nga Beogradi,” theksoi ai.

Mustafa bëri thirrje për integrimin e përfaqësuesve të komunitetit serb në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se, në mungesë të marrëveshjes për formimin e qeverisë, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.

“Mendoj se Kuvendi duhet të konstituohet, dhe pasi s’ka vullnet nga subjektet politike për të bërë qeverinë, atëherë shkuarja në zgjedhje do të jetë epilogu i ardhshëm. E çfarë pas zgjedhjeve do të vendosin qytetarët me votën e tyre. Është kjo rregull e demokracisë!” përfundoi Mustafa.

Gjykata Kushtetuese urdhëroi që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, duke kërkuar që deputetët të veprojnë në “interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe të zgjedhin nënkryetarin serb.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy