Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, ka bërë thirrje ndaj partive politike në Kosovë që të ndërmarrin hapa urgjent për formimin e institucioneve të reja.
Ai tha se aktualisht po analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi nuk është konstituuar, për shkak të moszgjedhjes së njërit nga nënkryetarët nga radhët e komunitetit serb.
“Ne, ashtu si qytetarët e Kosovës, kemi marrë këto informacione së fundmi, në të njëjtën mënyrë si edhe bashkësia ndërkombëtare, dhe jemi duke i analizuar. Por shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe që të kemi një qeveri me mandat të plotë,” deklaroi Orav të mërkurën para mediave.
I pyetur për mesazhin e tij drejtuar partive politike, Orav tha shkurt: “Ju lutem, konstituoni Kuvendin dhe formoni qeverinë.”
Gjykata Kushtetuese të martën vendosi se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përmbyllet brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata theksoi se ende nuk është zgjedhur një nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb.