Avokati Gashi: Arbnor Spahiu po mbahet padrejtësisht në Serbi – kërkohet presion ndërkombëtar për lirimin e tij

by informim peje

Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se duhet bërë presion ndërkombëtar për të vërtetuar pafajësinë e ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi.

Sipas Gashit, akuzat ndaj Spahiut për gjoja kryerjen e një vrasjeje të rëndë më 23 shtator 2023 – ditën kur ndodhi sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit – janë të pabaza dhe lehtë të rrëzueshme.

banner

“Ajo çka duhet të bëjmë ne është të ushtrojmë presion mbi organizatat ndërkombëtare që kanë të drejtë dhe obligim të monitorojnë raste si ky i Arbnor Spahiut. Ky është çelësi i vetëm për të ndaluar përdorimin e nacionalitetit shqiptar si mjet hakmarrjeje nga institucionet e Serbisë. Besoj që ai është i pafajshëm dhe duhet të shfrytëzohet çdo mjet juridik për të dëshmuar këtë,” tha Gashi.

Avokati theksoi se Spahiu, në kohën e ngjarjes, nuk ndodhej fare në Kosovë, por jetonte në Gjermani – dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht përmes dokumentacionit zyrtar.

“Arrestimi i tij ka të bëjë kryekëput me hakmarrje. Serbia po synon ta rrisë numrin e shqiptarëve të arrestuar në mënyrë të padrejtë, si kundërpërgjigje ndaj arrestimeve të pjesëtarëve terroristë të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, të cilët me të drejtë ndalohen nga institucionet tona.”

Gashi theksoi më tej se situata është e pabarabartë, pasi në Kosovë proceset ndaj pjesëtarëve serbë zhvillohen me transparencë, drejtësi dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, ndryshe nga ajo që ndodh në Serbi.

“Në Kosovë, pjesëtarët e komunitetit serb arrestohen me prova konkrete dhe iu ofrohet një gjykim i drejtë. Askush nuk mund të kontestojë drejtësinë e këtyre proceseve, edhe kur bëhet fjalë për persona të dyshuar për veprime terroriste – si në rastin e sulmit në Banjskë. Në anën tjetër, Serbia nuk u garanton shqiptarëve as një proces minimalisht të drejtë. Madje, shpeshherë kemi pasur raste të montuara, posaçërisht kundër pjesëtarëve të UÇK-së apo Policisë së Kosovës,” tha Gashi.

Ai e cilësoi rastin e Spahiut si të motivuar politikisht.

“Kur kemi të bëjmë me raste që ndërlidhen me raportet Kosovë-Serbi, thuajse gjithmonë ekziston një dimension politik. Për dallim nga Kosova, ku funksionon drejtësia dhe ka qasje ndërkombëtare, në Serbi rastet shpesh përdoren për qëllime politike dhe hakmarrëse.”

Më 7 qershor 2025, Arbnor Spahiu u arrestua në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Serbisë. Ai akuzohet nga autoritetet serbe për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” gjatë sulmit të 23 shtatorit 2023 në Banjskë, ku rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra nga një grup terrorist serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Të martën në Prishtinë, qytetarë të shumtë protestuan duke kërkuar drejtësi për Arbnor Spahiun. Babai i tij iu bëri thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në lirimin e tij. Ai theksoi se Arbnori është i lodhur nga padrejtësia që po i bëhet në paraburgim./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy