Me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, sot Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka lansuar fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.
Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe profesionistë shëndetësorë.
Ministria e Shëndetësisë njofton se nga data 1 deri më 31 tetor 2025, njësia Mamografi Mobil do të jetë e pranishme në qytete të ndryshme të Kosovës, sipas një kalendari të caktuar.
“Mamografia është metoda më e rëndësishme diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Si një ekzaminim radiologjik, ajo mundëson identifikimin e ndryshimeve shumë të vogla në indin e gjirit, shpesh para se të bëhen të dukshme klinikisht. Zbulimi i hershëm ka rëndësi thelbësore, pasi rrit ndjeshëm mundësinë për trajtim efektiv dhe ndihmon në uljen e vdekshmërisë nga kjo sëmundje,” thuhet në njoftimin e MSH-së.
Mamografia rekomandohet si mjet skriningu për gratë mbi 40 vjeç, ose më herët për ato me faktorë rreziku. Ajo është një procedurë e thjeshtë, e shpejtë dhe e sigurt për ruajtjen e shëndetit të grave.
Gjatë këtij muaji, Mamografi Mobil do të jetë në qytetet e parashikuara në kalendar, nga ora 10:00 deri në 16:00, sipas datave të caktuara.