Egjipti, në bashkëpunim me Katarin dhe Turqinë, është duke bërë përpjekje për ta bindur Hamasin të pranojë planin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Rripin e Gazës, deklaroi të enjten ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty.
Duke folur në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, Abdelatty tha se Hamasi është paralajmëruar se refuzimi i planit do të sillte vetëm përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
“Mos t’i japim asnjë arsye një pale për ta përdorur Hamasin si justifikim për këto vrasje të përditshme dhe të çmendura të civilëve. Ajo që po ndodh është shumë më tepër sesa 7 tetori,” tha ministri egjiptian, duke iu referuar sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1.200 persona dhe mbi 200 të tjerë u rrëmbyen.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, ofensiva e Izraelit në Gazë që nga ajo kohë ka shkaktuar mbi 66.000 viktima. Abdelatty e përshkroi situatën si “spastrimi etnik dhe gjenocid në zhvillim”.
Plani i Trump-it për Gazën
Shtëpia e Bardhë publikoi këtë javë një dokument me 20 pika, i cili përfshin:
– armëpushim të menjëhershëm,
– shkëmbimin e pengjeve të Hamasit me të burgosur palestinezë,
– tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza,
– çarmatimin e Hamasit dhe
– krijimin e një qeverie tranzitore të mbikëqyrur nga një trup ndërkombëtar.
Presidenti Trump i dha Hamasit afat 3 deri në 4 ditë për ta pranuar planin.
Abdelatty tha se Egjipti e mbështet vizionin e Trump-it, por paralajmëroi se plani ka ende elementë të papërcaktuar.
“Ka shumë boshllëqe që duhet të plotësohen, sidomos në çështjet e qeverisjes dhe sigurisë. Ne e mbështesim planin, por duhen më shumë diskutime mbi mënyrën e zbatimit,” u shpreh ai.
I pyetur për rrezikun e zhvendosjes së detyruar të palestinezëve, Abdelatty ishte i prerë:
“Zhvendosja nuk do të ndodhë. Nëse ndodh, kjo do të thotë fundi i çështjes palestineze. Egjipti nuk do ta lejojë në asnjë rrethanë.”
Egjipti ka mbajtur historikisht një rol kyç si ndërmjetësues në konfliktin izraelito-palestinez, dhe përpjekjet e tij aktuale pritet të jenë vendimtare për të parë nëse plani i Trump-it do të marrë mbështetjen e Hamasit.