Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur për një situatë globale që, sipas tij, po shkon drejt kaosit, kolapsit dhe përgatitjeve për luftë. Ai ka vënë theksin te zhvillimet në Kosovë, duke deklaruar se Perëndimi nuk mund të injorojë më atë që, sipas tij, po ndodhë në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka theksuar se bota është në kaos dhe kolaps të plotë, dhe se “të gjithë po përgatiten për luftë”, duke nënvizuar një atmosferë të rëndë globale, e cila sipas tij po reflektohet edhe në rajon, raportojnë mediat serbe.
“Keni një kolaps dhe kaos të plotë në të gjithë botën. Do të jetë gjithnjë e më e vështirë në botë dhe do të jetë më e vështirë në vendin tonë për çështje të caktuara për arsyen e thjeshtë se të gjithë po përgatiten për luftë”, ka deklaruar Vuçiq.
Sipas tij, askush nuk po angazhohet më për bisedime dhe diplomaci. Ai ka theksuar se vendet po përgatiten për përballje dhe po ndajnë vijat se kush është në anën e kujt.
“Ata po hapin llogoret e tyre dhe po presin fillimin. Dhe ata e dinë se lufta po afron dhe thjesht po bëhen gati”, ka thënë ai.
Vuçiq nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë. Ai shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” për të mos marrë pjesë në atë luftë.
Vuçiq pranoi se kjo temë u ndje edhe gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, ku sipas tij tani “ka rëndësi vetëm kush është në anën e kujt”.
Sipas mediave serbe, ai gjithashtu komentoi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë, i cili do të diskutohet më 21 tetor.
“Besoj se raporti do të jetë pjesërisht objektiv, nuk do të tregojë të gjitha aspektet, por me siguri do të tregojë disa probleme me të cilat po përballet populli serb”, ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, Perëndimi tashmë është i vetëdijshëm për atë që ndodh në Kosovë dhe “nuk mund ta fshehë më të vërtetën”.