Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar datën 5 nëntor 2025, ora 10:00, për mbajtjen e seancës gjyqësore lidhur me padinë e ngritur nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Seanca do të zhvillohet në objektin e Pallatit të Drejtësisë, në Sallën e Gjykimeve.
Përmes një njoftimi për media, OEK bëri të ditur se kjo seancë ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së një akti nënligjor të ZRRE-së, i cili sipas tyre, “në mënyrë të padrejtë dhe në dëm të bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, ka detyruar kompanitë të kalojnë me dhunë në tregun e lirë të energjisë elektrike”.
Sipas OEK, ky vendim cenon interesat e përgjithshme ekonomike të vendit, krijon pasiguri për konsumatorët dhe vendos një barrë të padrejtë mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – të cilat organizata i cilëson si shtyllë të zhvillimit ekonomik në Kosovë.
“Besojmë fuqishëm se vetëm përmes transparencës, përfshirjes dhe zërit të përbashkët të qytetarëve dhe bizneseve, mund të mbrohen interesat publike dhe të sigurohet një treg energjie i drejtë dhe funksional në Kosovë”, thuhet në reagimin e OEK.
Oda ka ftuar ekspertë të sektorit të energjisë, shoqërinë civile dhe aktorët tjerë relevantë që të kontribuojnë me analiza dhe dëshmi profesionale për të mbështetur padinë dhe për të vërtetuar, sipas tyre, se vendimi i ZRRE-së është i dëmshëm dhe i pajustifikueshëm.