Forcat izraelite kanë pezulluar sulmet në Rripin e Gazës pas thirrjes së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi ndalimin e bombardimeve për të mundësuar lirimin e pengjeve dhe hapjen e negociatave të paqes me Hamasin.
Trump reagoi pas deklaratës së Hamasit, që pranoi lirimin e pengjeve dhe gatishmërinë për të hyrë në bisedime mbi disa pika të planit të tij 20-pikësh. Në një video-mesazh, presidenti amerikan e cilësoi situatën si një ditë historike dhe “ndoshta të pashembullt” në rrugën drejt paqes në Lindjen e Mesme.
“Kjo është një ditë shumë e veçantë. Dua të falënderoj Katarin, Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin, Jordaninë dhe shumë vende të tjera që ndihmuan. Mezi pres që pengjet të ribashkohen me familjet e tyre. Ky është një hap i madh drejt paqes,” deklaroi Trump.
Pas fjalës së tij, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se Tel Avivi do të zbatojë menjëherë fazën e parë të planit amerikan. Sipas mediave izraelite, që nga mëngjesi i sotëm, ushtria izraelite (IDF) ka pezulluar sulmet në të gjithë territorin e Gazës.
Megjithatë, mbrojtja civile e Gazës e ka mohuar këtë version, duke pretenduar se gjatë natës Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore dhe bombardime me artileri në disa zona të Rripit.
Këto raporte kontradiktore mbeten për t’u verifikuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar e sheh si një moment vendimtar për të vendosur nëse plani i Trump do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri drejt paqes apo një tjetër përplasje të tensionuar mes palëve.