Evropa është përfshirë nga stuhia e fuqishme “Amy”, e cila po shkakton viktima dhe dëme të shumta materiale në disa shtete. Në Francë, dy persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme të motit.
Sipas mediave franceze, një 48-vjeçar u mbyt në det, këtë të shtunë mëngjes (4 tetor), teksa po notonte në ujërat e Étretat, në rajonin e Seine-Maritime, në veri të vendit. Ai ishte shoqëruar nga një 18-vjeçar, i cili fatmirësisht arriti të dalë i gjallë në breg.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë helikopterin Dragon 76, anijet e Shërbimit Kombëtar të Shpëtimit Detar (SNSM) dhe njësitë e shpëtimit në ujë, tentuan disa herë të ndërhyjnë, por kushtet ekstreme të motit e bënë të pamundur çdo përpjekje. Trupi i pajetë i viktimës u nxorr nga deti vetëm pasdite, rreth orës 16:00, kur niveli i ujit ra.
Më vonë, rreth orës 18:00, autoritetet franceze njoftuan për një viktimë të dytë. Në rajonin Aisne, një djegë e madhe peme ra mbi një automjet, duke i marrë jetën një 25-vjeçari që ndodhej brenda. Lajmin e konfirmoi prefektura e zonës.
Dëme edhe në Irlandë dhe Belgjikë
Stuhia “Amy” ka prekur rëndë edhe vendet e tjera të Evropës Veriore. Në Irlandë, një burrë rreth të 40-ave humbi jetën pasi u plagos rëndë brenda banesës së tij, në qarkun Donegal, në veriperëndim të vendit.
Ndërkohë, në Belgjikë, i gjithë territori është vendosur nën alarm të verdhë për erëra të forta, ndërsa bregdeti është në nivel portokalli për shkak të stuhisë. Deri në momentin e raportimit, në Belgjikë janë regjistruar vetëm dëme materiale.
Autoritetet në të gjithë rajonin i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në stabilizimin e motit.