Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress ka theksuar se Kosova nuk ka zgjidhje më të favorshme sesa mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ajo thotë se tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe gjashtë muaj nga seanca konstituive e parë, fakti që Kuvendi ende nuk është konstituuar, e bën të domosdoshme rikthimin e mandatit te qytetarët.
Sipas saj, para shpalljes së zgjedhjeve të reja, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për krijimin e një qeverie të përkohshme, me mandat vetëm legjislativ. Kjo qeveri, sipas Kusari-Lilës, do të kishte për detyrë miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Vendimi më demokratik është t’i kthejmë mandatin qytetarëve. Nëse për tetë muaj nuk kemi arritur të konstituojmë Kuvendin, atëherë kutitë e votimit janë e vetmja zgjidhje. Vetëm një proces i ri zgjedhor mund të ofrojë qartësi në raport me koalicionet e ardhshme,” tha Kusari-Lila.
Në lidhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, deputetja u shpreh se duhet pritur vendimi i plotë. Ajo theksoi se Kushtetuta nuk ia njeh ekskluzivisht Listës Serbe të drejtën e nominimit, duke shtuar se nuk do të votojë për asnjë kandidat të kësaj partie, të cilën e akuzon për veprimtari kundër shtetit të Kosovës.
Sa i përket mundësisë për formimin e qeverisë së re, Kusari-Lila shprehu skepticizëm. Sipas saj, edhe në rast të një marrëveshjeje me Nismën Socialdemokrate, nuk do të arrihej numri prej 61 deputetësh. Aktualisht, koalicioni LVV–Guxo–Alternativa, së bashku me disa deputetë nga komunitetet jo-shumicë, ka vetëm 57 vota.
Prandaj, ajo e sheh të domosdoshme një marrëveshje politike për qeveri të përkohshme, që do të merrej vetëm me çështje urgjente ligjore dhe financiare, pa u shndërruar në qeveri tranzicioni të gjerë, siç e kishte propozuar LDK-ja.
Duke folur për raportin e Alternativës me Vetëvendosjen, Kusari-Lila tha se në të ardhmen do të kërkohet një koalicion zyrtar, duke nënvizuar rëndësinë e përcaktimit të qartë të identitetit politik të partisë së saj. Ajo nuk e konfirmoi nëse do të mbetet shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, por theksoi se është e kënaqur që ka kryer me përkushtim një detyrë të vështirë gjatë kësaj legjislature.
“Qytetarët i kanë dhënë mandatin Vetëvendosjes dhe ajo ka përgjegjësinë për vendimet kryesore. Ne kërkojmë vetëm që marrëveshjet e ardhshme të jenë të qarta dhe të formalizuara,” përfundoi ajo./KosovaPress/