Ferizaj ka arritur fitore 2-0 ndaj Drenicës, ndërsa përballja mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re ka përfunduar pa fitues, me rezultat 1-1.
Këto ndeshje kanë qenë nga xhiro e tetë e Superligës së Kosovës dhe janë zhvilluar të dielën.
Në stadiumin e Ferizajt, vendasit e kanë mbyllur pjesën e parë në epërsi, falë golit të Valmir Nafiut nga pika e bardhë në minutën e njëzet e shtatë. Drenica jo vetëm që nuk arritur ta barazojë rezultatin në pjesën e dytë, por e ka lejuar skuadrën vendase në minutat e fundit ta shënojë edhe një gol, duke i dhënë Ferizajt tri pikë të rëndësishme.
Ndërkohë, në Klinë, ndeshja mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re ka përfunduar me barazim 1-1. Mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e gjashtëdhjetë e pestë, kur Toni Gomes ka përfituar nga topi i kthyer pas goditjes së Patrick Friday Ezes, duke realizuar në portën e zbrazët për 0-1. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Dukagjini ka arritur t’i barazojë shifrat me golin e Albion Pllanës në minutën e shtatëdhjetë e një.
Pas kësaj xhiro, tabela e Superligës së Kosovës vazhdon të kryesohet nga Prishtina me nëntëmbëdhjetë pikë, ndërsa në fund të saj ndodhet Gjilani me vetëm shtatë pikë