Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas ngjarjes tragjike që tronditi sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën si pasojë e një sulmi me armë brenda ambjenteve të gjykatës.
Në një mesazh publik, kreu i qeverisë shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe kërkoi që drejtësia të reagojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorit të këtij akti kriminal.
“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”, – deklaroi Rama.
Më tej, Kryeministri theksoi se ngjarja duhet të shërbejë si pikë reflektimi për nivelin e sigurisë në gjykatat shqiptare, duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e policisë private për mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë.
“Kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!”, – tha ai.
Rama përdori rastin për të bërë thirrje për një reformim të mëtejshëm të Kodit Penal, veçanërisht në lidhje me mbajtjen pa leje të armëve. Sipas tij, dënimet duhet të ashpërsohen ndjeshëm, ndërsa proceset gjyqësore nuk duhet të lejojnë më tolerancë për këtë lloj kriminaliteti.
“Ngjarja është argumenti më i pakundërshtueshëm për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme. Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore.”