Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje Shqipërinë. Gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili hapi zjarr me tre plumba – dy në gjoks dhe një në stomak.
Gjyqtari Kalaja ndërroi jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës, ku më pas u konstatua vdekja e tij.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj – palë kundërshtare në procesin gjyqësor me Shkambin. Njëri prej tyre iu nënshtrua një operacioni, por të dy mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i krimit dyshohet të jetë një konflikt për pronësinë e një godine në lagjen “Skënderbeg” të Tiranës. Godina ishte ndërtuar nga shteti dhe që nga viti 1992 është banuar nga 31 familje me vendim të Këshillit Bashkiak. Megjithatë, trualli mbi të cilin është ndërtuar ajo u fitua më vonë përmes një vendimi gjyqësor nga familja Shkambi.
Pas krimit, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën oficerit të sigurisë brenda Gjykatës së Apelit, doli jashtë ndërtesës dhe iu dorëzua vetë Policisë, pa bërë rezistencë. Ai deklaroi: “Unë jam autori.”
Në dëshminë paraprake para grupit hetimor, Shkambi ka thënë se “nuk kishte zgjidhje tjetër”, pasi e humbi gjyqin.
Ende nuk dihet se si arriti ta fuste armën e zjarrit në sallën e gjyqit. Ndërkohë, Policia ka ndaluar oficerin e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili është përgjegjës për kontrollin në skaner në hyrje të institucionit.
Ky konflikt mes palëve është bërë publik edhe më parë. Më 6 tetor 2024, ato janë përballur në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diell”. Një fragment nga ajo përballje është bërë viral në rrjete sociale, ku Gjon Shkambi – xhaxhai i autorit – kërcënon publikisht palën tjetër, duke thënë:
“E gjej unë formën si me e liru, se e minoj në të katërta qoshet. Se është prona jeme, e kam me dokumente të rregullta, e kam me certifikatë. Të gjithëve në erë do t’iu hedh. Po ju paralajmëroj, të gjithëve në erë kam me ju hedh.”