Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se kandidatët për kryetarë komunash duhet të kenë më shumë se vetëm aftësi menaxheriale, pasi roli i tyre është politik dhe përfaqësues.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryeziu theksoi se kryetarët nuk duhet të trajtohen si drejtorë administrativë, por si figura që përfaqësojnë vizion, orientim dhe përgjegjësi politike ndaj qytetarëve.
“Kandidatët për kryetar komune, megjithëse duhet të kenë aftësi menaxheriale, nuk janë dhe nuk do duhej të trajtohen as nga vetë ata, as nga ne si kandidatë për drejtorë administrativë,” ka shkruar ai.
Sipas tij, nëse pozita e kryetarit do të ishte vetëm çështje menaxhimi, atëherë ajo do të plotësohej përmes konkursit publik, e jo përmes një procesi zgjedhor politik.
“Kandidatët për kryetar komune janë në garë politike dhe duhet të jenë përfaqësues të vizionit, orientimit dhe përgjegjësisë politike ndaj qytetarëve. Sepse po të ishte pozita e kryetarit thjesht çështje menaxhimi e administrative, zgjedhjen do ta bënim përmes një konkursi publik, jo përmes një gare politike,” theksoi Kryeziu.

