Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka nisur një vizitë katërditore në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij në Vlorë, Adams dha një intervistë për mediat, ku shpjegoi arsyet e vizitës dhe përshtypjet e tij për vendin.
Adams tha se vendimi për të vizituar Shqipërinë lindi si një premtim personal ndaj Kryeministrit Edi Rama, me të cilin ka mbajtur kontakte gjatë detyrës si kryebashkiak. Ai zbuloi gjithashtu se kishte dëgjuar për Shqipërinë për herë të parë përmes djalit të tij, i cili kishte performuar këtu vite më parë dhe ishte impresionuar nga bukuria e vendit
“Gjatë viteve, kam komunikuar me kryeministrin Rama dhe i kisha dhënë fjalën se do të vija për të parë nga afër mundësitë për bashkëpunim në turizëm, biznes dhe siguri publike. Tani ishte momenti i duhur,” u shpreh Adams.
Gjatë vizitës në Vlorë, ai tha se kishte parë nga afër biznese të drejtuara nga gra, kishte zhvilluar takime me drejtues lokalë dhe sipërmarrës, dhe se ishte i impresionuar nga inovacioni dhe mikpritja shqiptare.
“Ky është një vend i mrekullueshëm. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm dhe siguria publike është e admirueshme – mund të ecësh në çdo orë dhe të ndihesh i mirëpritur,” shtoi ai.
Adams vuri theksin edhe tek komuniteti i madh shqiptar në Nju Jork, të cilin e quajti një “urë lidhëse mes dy vendeve”:
“Nju Jorku është ‘Shqipëria e Amerikës’. Kemi një nga komunitetet më të mëdha shqiptare, dhe kjo vizitë është gjithashtu një mënyrë për të respektuar kontributin e tyre.”
Ai zbuloi gjithashtu se janë duke u zhvilluar bisedime për hapjen e një linje ajrore direkte midis Nju Jorkut dhe Shqipërisë, siç është bërë më parë me Azerbajxhanin, një projekt që do të forconte ndjeshëm lidhjet turistike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Intervista:
Pyetje: I keni bërë të gjithë kuriozë, pse keni ardhur në Shqipëri?
Eric Adams: Epo, disa vite më parë, im bir erdhi këtu për të performuar dhe tha se ishte një vend shumë i bukur. Gjatë viteve, në funksionin e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, kam komunikuar me kryeministrin Rama dhe i kisha dhënë fjalën se do të vija ta vizitoja Shqipërinë për të parë mundësitë e biznesit, të investimeve në turizëm dhe për të folur mbi çështjet që lidhen me sigurinë publike.
Ai më ftoi të vija. Në fakt, më ftoi gati një vit e gjysmë më parë, por atëherë nuk ishte koha e duhur për mua. Tani është momenti i përshtatshëm, sepse kam kohë të shoh inovacionin. Pata mundësinë të vizitoj një biznes të drejtuar nga gra dhe të ulem me drejtues të tjerë biznesi për të parë se si mund të përmirësojmë turizmin këtu në Shqipëri dhe në Nju Jork — dhe si mund ta përdorim inovacionin për të mundësuar që qyteti ynë të bashkëpunojë me vendin tuaj.
Por duhet ta dini edhe një gjë: Nju Jorku është “Shqipëria e Amerikës”. Ne kemi një nga komunitetet më të mëdha shqiptare, dhe shumë herë shqiptarët që jetojnë në Nju Jork më kanë kërkuar të vizitoj Shqipërinë, kështu që tani kjo është një mundësi për t’i respektuar edhe ata.
Pyetje: Nga ajo që keni parë deri tani, ia ka vlejtur koha e shpenzuar në Shqipëri? Mendoni se Shqipëria ofron mjaftueshëm mundësi që biznesmenët apo turistët amerikanë të vijnë e të investojnë këtu? Do t’ua rekomandonit Shqipërinë miqve tuaj?
Eric Adams: Po, ky është një vend i mrekullueshëm. Para së gjithash, njerëzit janë shumë miqësorë. Siguria publike është e jashtëzakonshme — mund të ecësh nëpër rrugë në çdo orë të ditës apo të natës dhe të ndihesh i mirëpritur.
Ne po shohim disa prej vendeve që duam t’ia propozojmë ekipit të turizmit të Nju Jorkut — për të tërhequr shqiptarët që të vijnë në Nju Jork, dhe njëkohësisht që njujorkezët të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Jemi gjithashtu në bisedime për një fluturim direkt nga Nju Jorku në Shqipëri, diçka që e kemi bërë tashmë me Azerbajxhanin — dhe tani kemi një linjë të drejtpërdrejtë. Kështu që e shohim këtë si diçka shumë pozitive.
Pyetje: Po për Vlorën, çfarë mendoni?
Eric Adams: Është një qytet i bukur. Shpresojmë të tërheqim vlonjatët që të vijnë të vizitojnë Nju Jorkun dhe njujorkezët të vijnë të vizitojnë Vlorën