Në podcastin e njohur të vëllezërve Kroos, “Einfach mal Luppen”, është diskutuar gjerësisht për situatën aktuale të Barcelonës pas dy humbjeve të fundit që ka pësuar skuadra katalonase.
Ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka vlerësuar stilin e lojës së Barcelonës, por njëkohësisht ka paralajmëruar për rreziqet që sjell ai.
“Barcelona luan ndoshta futbollin më të bukur në Evropë, por rrezikon shumë. Duke mbajtur lojtarët aq larg portës, krijojnë një stil loje që bëhet i rrezikshëm, veçanërisht pas minutës së 75’, kur lodhja ndikon dhe hapësirat mbeten të pambuluara”, ka deklaruar Kroos.
Sipas tij, ky problem bëhet edhe më i madh në ndeshjet ku skuadra nuk arrin të kontrollojë ritmin, pasi mungesa e energjisë në fund të takimit ekspozon mbrojtjen e Barcelonës ndaj kundërshtarëve.
Gjermani shtoi se ekipi i drejtuar nga Hansi Flick varet shumë nga disa lojtarë kyç.
“Pedri, Lamine Yamal dhe Raphinha janë tre lojtarët që e mbajnë boshtin e Barcelonës. Nëse ata nuk janë në formë, skuadra kthehet në një ekip normal dhe nuk arrin të shmangë humbjet”, ka theksuar Kroos.
Komenti i Kroosit vjen në një moment kur Barcelona po përpiqet të rikthehet te rezultatet pozitive pas një fillimi të vështirë në kampionat dhe në arenën evropiane