Anëtari i Kryesisë së PD-së, Ervin Salianji në emisionin “Now”, me moderatore Erla Mëhilli në Euronews Albania ka folur lidhur me mbështetjen që i ka dhënë kandidaturës së Florian Binajt për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Salianji u shpreh se ajo që duhet të jetë fokusi i opozitës është të gjejnë pikat që i bashkojnë.
Sipas tij pika kryesore është se Binaj ka marrë mbështetje. Ai thekson se në këtë moment bien interesat partiake dhe se interesi publik është i rëndësishëm
“Unë mendoj se sot është momenti që të gjejmë të gjitha pikat që na bashkojnë. Pika kryesore është kandidati i të gjitha partive opozitare përfshirë edhe zotin Shehaj ia kanë dhënë mbështetjen. Kjo nuk është pak. E gjithë narrativa e rrugëtimit në këtë moment bien përderisa është marrë mbështetja për kandidatin e pavarur.
Në këtë kuptim interesat partiake që ka secila prej partive qe edhe unë mendoja që interesi politik dhe vetëm i PD mund të ishte një kandidat politik, bie në këto momente dhe prevalon ajo që është interesi publik. Një provë e rëndësishme në një moment të caktuar ku duket që autokracia kontrollon gjithçka, që të jepet një frymëmarrje tjetër për të dalë nga partitë politike,” tha Salianji