Kryeministri Rama nderon kujtimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, i vrarë gjatë seancës për pronësi

by engel

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në homazhet që po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë për nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje më 6 tetor në sallën e Gjykatës së Apelit, pas shpalljes së një vendimi në një çështje pronësie. Pas homazheve, Rama nuk bëri deklarata për mediat. Ceremonia nisi në orën 09:00 dhe pritet të përfundojë në orën 11:00.

Sipas hetimeve, autori i vrasjes është identifikuar si Elvis Shkambi. Në momentin e ngjarjes, xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ishte palë në procesin gjyqësor. Përveç gjyqtarit Kalaja, u plagosën edhe Ragip dhe djali i tij, Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë e tretë në të njëjtën çështje; të dy mbetën të plagosur, por pa rrezik për jetën.

banner

Hetimi i ngjarjes ka rikonstruktuar rrjedhën e ngjarjeve: në orën 13:42 të ditës së ngjarjes, Elvis dhe Gjon Shkambi hynë në ambientet e Gjykatës së Apelit dhe kaluan pajisjen e skanimit, e cila sinjalizoi praninë e një objekti metalik. Megjithatë, punonjësi i sigurisë në detyrë, Banush Koxhaj, nuk ka kryer kontroll fizik apo regjistrim hyrje-daljes, siç parashikon protokolli. Pas kalimit nëpër kontroll, të dy qëndruan rreth dy orë në hollin e pritjes pa ngjallur dyshime.

Rreth orës 15:29, Elvis dhe Gjon Shkambi u futën në sallën nr. 3, ku po zhvillohej seanca me objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore”. Sipas raportimeve, rreth orës 15:35, menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, Elvis nxori armën dhe qëlloi disa herë drejt gjyqtarit dhe palëve të tjera. Gjyqtari u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë gjatë transportit. Autori qëlloi gjithashtu rreth palës paditëse Ragip Kurtaj dhe djalit të tij, të cilët mbetën të plagosur.

Pas të shtënave, autori dorëzoi armën tek një punonjës gjykate në një sallë tjetër, doli në oborr dhe u neutralizua e u arrestua nga policia që kishte mbërritur në vendngjarje. Hetimet kanë vënë në dyshim rolin e xhaxhait, Gjon Shkambi, i cili dyshohet se mund të ketë pasur dijeni ose të ketë ndihmuar në planifikim; ai po hetohet si i dyshuar si shtytës ose ndihmës në krim.

Punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, po hetohet për shpërdorim detyre, për shkak të mosveprimit pavarësisht se pajisja e skanimit dha alarm. Nga dëshmia e autorit rezulton se motivi i aktit ishte zemërimi i tij ndaj vendimeve gjyqësore; ai deklaroi se “i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet” dhe se vendosi të qëllonte pasi dëgjoi vendimin në dëm të tyre.

Hetimet e mëtejshme pritet të sqarojnë përgjegjësitë ligjore dhe aspekte të tjera të planifikimit dhe sigurimit në ambientet e gjyqësorit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy