Osmani: KFOR-i partner kyç në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë

by engel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë në vend dhe në rajon.

Deklarata e saj erdhi pas takimit me gjeneralmajorin turk, Oezkan Ulutash, i cili së fundmi ka rimarrë detyrën e komandantit të KFOR-it.

banner

“Dje mirëprita gjeneralmajorin Oezkan Ulutash dhe e urova për rimarrjen e detyrës së komandantit të KFOR. Shpreha besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë takimit është diskutuar për kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë ato që lidhen me përdorimin e dronëve. Presidentja Osmani ka potencuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës dhe KFOR-it për të parandaluar “taktikat destabilizuese të Serbisë”.

Ndërkohë, gjeneralmajori Ulutash, i cili ka marrë përsëri drejtimin e KFOR-it pas një viti, zëvendëson në këtë detyrë gjeneralmajorin italian Enrico Barduani.

Gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës, Ulutash theksoi përkushtimin e KFOR-it për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon.
“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të përmbushur misionin tonë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Do ta bëjmë këtë përmes aktiviteteve të ndryshme në terren, por edhe përmes mbështetjes së fuqishme për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që është rruga drejt stabilitetit”, deklaroi ai.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe komandantit të KFOR-it vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë ngritur shqetësime për rritjen e kërcënimeve nga Serbia, përfshirë përdorimin e dronëve për qëllime destabilizuese në veri të vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy