Partia e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi, ka planifikuar të mbajë një tubim elektoral në pjesën veriore të vendit mbrëmjen e sotme.
E ftuar në këtë tubim ishte një këngëtare serbe, me bindje pro-ruse e anti-Kosovë, Angjella Ignjatoviq, e njohur për këngën “Gnezdo orlovo”, me mesazhe të kontestuara për rikthimin e Serbisë në Kosovë,
Por, sipas këtij subjekti politik, “Breskvica”, siç njihet ndryshe këngëtarja serbe, është ndaluar të hyjë në Kosovë në pikën kufitare të Jarinjes.
“…sepse koncerti i saj, sipas fjalëve të Policisë, ka paraqitur rrezik për sigurinë”, ka thënë LS-ja.
Ngjarja ishte miratuar si elektorale nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ka informuar edhe Policinë e Kosovës për sigurinë gjatë zhvillimit të saj.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me autoritetet e sigurisë së vendit për ndalimin e hyrjes së saj, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Policia ndërkaq gjatë ditës ka konfirmuar se janë informuar për këtë ngjarje.
“Jemi të njoftuar për tubimin politik të paraparë nga Lista Serbe që pritet të mbahet në Mitrovicën e Veriut”, u shpreh Veton Elshani, zëvdendësdrejtor i policisë për veriun.
Gazetarja e Klan Kosovës Qëndresa Tërshani, ka dërguar pamje nga vendi ku pritet të mbahet ky tubim.
Aty ka arritur edhe Igor Simiq nga kjo parti, të cilin gazetarja e Klanit e ka pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e këngëtares serbe.
“Pyeteni policinë, jo neve”, është përgjigjur ai shkurtimisht.
Në afërsi të këtij lokacioni janë të pranishme edhe forca të KFOR-it dhe të EULEX-it.
Organizimi i këtij tubimi është kritikuar ashpër duke e cilësuar ngjarje provokuese pjesëmarrjen e këngëtares serbe, e cila në interpretimin e (Foleja e shqiponjës) përkrah narrativën e gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të agjendës së saj politike: “Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut. Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe”.
Këngëtarja serbe synonte përfaqësimin e Serbisë në Eurovision me këngën prapa së cilës qëndronin autorë që krijuan gjuhë të rrezikshme të kamufluar brenda vargjeve poetike.
Në tekstin e këngës, dëgjohen vargje që përshkruajnë shqiptarët si “zogj të zinj”, Kosovën si “foleja e shqiponjës” e cila shkatërrohet nga forca natyrore (e cila nënkupton ndërhyrjen ushtarake), dhe rikthimi i “qenies së ndritur” që përfaqëson ushtrinë serbe që shkon ta “çlirojë” Kosovën.
Veç mbështetjes së hapur nga strukturat politike në Serbi, “Breskvica” dhe kënga e saj janë promovuar gjerësisht edhe nga mediat shtetërore dhe ato të kontrolluara nga Kremlini, përfshirë “Russia Today” (RT Balkan), e cila publikoi gjatë 2024-ës një artikull me titullin “Kosovska bitka za Evroviziju” (“Beteja e Kosovës për Eurovision”), ku paraqisnin këngën si simbol të “krenarisë kombëtare dhe luftës për afirmim të Serbisë”. /KlanKosova