Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar se zgjidhja e luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës është treguar shumë më e ndërlikuar sesa kishte parashikuar fillimisht.
Gjatë një takimi me kryeministrin kanadez, Mark Carney, Trump tha se kishte menduar se konflikti në Ukrainë do të ishte “një nga problemet më të lehta për t’u zgjidhur”, duke theksuar marrëdhëniet e tij të dikurshme të mira me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Mendova se do të kishte qenë një nga më të lehtat. Shkoj shumë mirë me Putinin dhe mendova se do të kishte qenë e lehtë. Jam shumë i zhgënjyer me të, sepse mendova se kjo do të kishte qenë e lehtë për t’u zgjidhur, por doli të ishte ndoshta më e vështirë se Lindja e Mesme,” u shpreh Trump.
Ai po ashtu kujtoi se kishte arritur “shtatë marrëveshje të shkëlqyera” dhe kishte propozuar një plan paqeje për Gazën, duke nënvizuar përpjekjet e tij për stabilitet global.
Trump e përshkroi situatën në Ukrainë si “të çmendur”, duke nënvizuar numrin e lartë të viktimave dhe sfidat e mëdha për arritjen e një zgjidhjeje paqësore.