Aktori i njohur Florjan Binaj, i cili për 18 vite ishte një nga figurat më të dashura të programit humoristik “Portokalli”, ka folur me sinqeritet për raportin që ka sot me këtë emision.
I ftuar në podcastin “Mirëmbrëma Yje” të moderatores Arbana Osmani, Binaj u shpreh se nuk e ndjek më “Portokallinë”, dhe se ndjehet keq sa herë e sheh në ekran.
“Nuk e shoh ‘Portokallinë’. Ndihem keq kur e shoh. E kam provuar ta shoh 5 minuta dhe më vjen keq. Nuk dua të shoh diçka ku kam kaluar 18 vite të jetës sime në atë gjendje. Ka rënë entuziazmi,” – tha aktori.
Binaj shtoi se, sipas tij, mungon fryma krijuese që dikur e karakterizonte programin dhe se aktorët nuk duken më të përfshirë emocionalisht në atë që bëjnë.
“Po t’u shohësh sytë aktorëve, janë të gjithë të trishtuar. Kanë ngelur po te ato personazhe, nuk kanë entuziazëm për të krijuar figura të reja. Tani ke 5-6 vite që ke po të njëjtat personazhe,” – theksoi ai.
Aktualisht, Florjan Binaj është drejtues i emisionit investigativ “Piranjat”, ndërkohë që emri i tij është përfolur kohët e fundit edhe si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, sidomos mes fansave të vjetër të “Portokallisë”, një program që për shumë vite mbeti një nga më të ndjekurit në ekranet shqiptare, dhe që i dha Florit famë përmes personazheve të tij të spikatur.