Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të veprojnë në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka kritikuar ashpër partinë Vetëvendosje, duke e akuzuar për bllokadë institucionale për shkak të, siç tha ai, “mosguximit dhe keqinterpretimit të Kushtetutës”.
“Tash vendimi është zbardhur dhe ka kërkuar që partia shumicë të dalë me propozim, dhe Kuvendi të reagojë. Nuk ka të bëjë me vullnet politik. Kjo nuk është vetëm një vendim gjykate, por edhe një reflektim i frymës kushtetuese që ka qenë e qartë. Ne natyrisht do të procedojmë sipas vendimit të Gjykatës”, tha Haziri.
Ai akuzoi partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit për përgjegjësi të plotë në mosformimin e institucioneve.
“Për bllokadën aktuale, fajin e ka vetëm partia e parë. Prej 9 shkurtit deri në fund të shtatorit jemi detyruar të presim vendime të gjykatës. Është për të ardhur keq kur Gjykata Kushtetuese duhet t’u japë zgjidhje politikanëve për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe keqinterpretimeve. Kosova ka mbetur për gati një vit nën vullnetin politik të një partie dhe një individi.”
Lidhur me opsionin e zgjedhjeve të reja, Haziri u shpreh se ato nuk janë zgjidhje e situatës aktuale.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Një proces i ri zgjedhor e lodh qytetarin dhe është një kosto financiare që Kosova nuk e përballon dot. Është koha për të gjetur rrugën më të mirë për të zbatuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 9 shkurt”, u shpreh ai.
Ai shtoi se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë qeverinë dhe presidentin, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.
LDK synon rikthimin në komuna pa balotazh
Në fund të intervistës, Haziri foli edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale, duke shprehur optimizëm për një rikthim të fuqishëm të partisë në shumë komuna.
“Jemi partia e parë me votë politike në zgjedhjet lokale në Gjilan dhe në gjithë Republikën. Kemi peshë të madhe në Prishtinë dhe komuna të tjera. Këto zgjedhje lokale mund ta rikthejnë dhe forcojnë LDK-në si parti të parë”, tha Haziri.
Ai përmendi disa komuna ku LDK po punon për fitore pa balotazh.
“Po synojmë ta marrim Prishtinën pa balotazh. Po ashtu, jemi të fuqishëm në Lipjan, Pejë, Obiliq, Fushë Kosovë, pse jo edhe në Gjilan e Podujevë. Po shihet se vullneti qytetar po ndryshon,” theksoi ai.
Gjykata Kushtetuese: Kuvendi nuk është konstituuar plotësisht
Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi më 8 tetor 2025 aktgjykimin e saj të plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Sipas aktgjykimit, Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën dhe i është dhënë një afat 12-ditor deputetëve për të përfunduar procesin, duke filluar nga dita e publikimit të vendimit.
Gjykata theksoi se zgjedhja e një nënkryetari nga komuniteti serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Ajo gjithashtu sqaroi se votimi “në pako” i nënkryetarëve nuk është i detyrueshëm, por mund të ndodhë nëse ka dakordim mes grupeve parlamentare.
Megjithatë, aktgjykimi nuk e qartëson saktësisht se çfarë ndodh nëse nënkryetari serb nuk zgjidhet me votim të hapur apo me short. Lista Serbe kishte paraqitur ankesë pikërisht për këtë çështje, duke e cilësuar si shkelje mosvotimin në pako të dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë./EO