Prej vitesh, Shqipëria vazhdon të përballet me pasojat e ndotjes industriale, që në shumë zona ka lënë pas depozita të mëdha mbetjesh kimike dhe metalesh të rënda. Mbetjet në fjalë vijojnë të kërcënojnë mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.
Në Elbasan, situata më problematike gjendet në ish-Kombinatin Metalurgjik dhe në fshatin Balëz, ku ndodhej dikur fabrika e çimentos.
“Ne problematikë kemi ndotjen e ujërave dhe të tokës. Kjo mbetet aktualiteti i sotëm dhe duhet marrë masa në të gjitha mënyrat, jo vetëm me fondet shqiptare, por edhe duke kërkuar ndihmë nga bota. Ne e kemi përvojën që një pjesë e materialeve që janë grumbulluar edhe sot në Balëz, në vendgrumbullimin atje, janë brenda kushteve teknike, por ndodhen pranë lagjes, afër ambulancës dhe shkollës i ndan vetëm një mur.”-Ahmet Mehmeti, ambientalist.
Mbi 1.5 milionë ton mbetje industriale vazhdojnë të qëndrojnë në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik, duke ndotur prej dekadash tokën, ajrin dhe lumin Shkumbin.
“Ndotja madhore me metale të rënda siç janë kromi, nikeli, plumbi, bakri, kadiumi — janë metale shumë të rrezikshme me pasoja në shëndetin e njerëzve, si sëmundjet kanceroze, tumoret dhe sëmundjet gjenetike. Duhet patjetër t’u gjendet një zgjidhje. Kush është zgjidhja sipas teje? Zgjidhja është dehelmintizimi i vendit. Ka mënyra që, me mbjelljen e bimëve, tërheqin në mënyrë selektive nga toka këto helme. Sepse, kështu siç janë sot, ato rrjedhin nëpërmjet ujërave në lumin Shkumbin, dhe nga Shkumbini, që përdoret për ujitje, kalojnë në fruta e perime dhe na kthehen në shëndet, në pjatën tonë, duke shkaktuar sëmundje të rënda. Sëmundshmëria në Elbasan, në krahasim me vende që nuk e kanë këtë industri të rëndë, është rreth gjashtëfishi i sëmundjeve kanceroze.”-Ahmet Mehmeti, ambientalist.
Ndërkohë, banorët që jetojnë pranë zonës industriale tregojnë se ndotja është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe shëndetin e tyre.
“Shumë problem i madh është. Rrimë mbyllur aty, dalim ndonjëherë këtu, por tymi edhe ajo erë e qelbur që i ngjan erës së naftës… O Zot, moj nënë, nuk hapen dritaret! I mbajmë mbyllur dritaret tani i kam hapur pak. Aq keq jemi, por ku të shkojmë në këtë pleqëri… Ka plot njerëz që ankohen, lloj-lloj sëmundjesh, me veshka, me këmbët. Mirë ne që jemi pleq, por po sëmuren edhe të rinjtë.”-Vule Kusi, banore pranë ish-Kombinatit Metalurgjik.
Ndotja industriale mbetet një prej plagëve më të mëdha mjedisore në vend, ndërsa zgjidhja kërkon jo vetëm vullnet institucional, por edhe mbështetje ndërkombëtare për pastrimin e zonës