Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tarifa”, duke parandaluar një rast të tentativës për kontrabandë të mallrave që i nënshtrohen akcizës, në drejtim të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar për media, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar mallra të ndryshme me vlerë rreth 54.350.000 lekë, si dhe dy automjete të përdorura për transportin e tyre.
Janë arrestuar në flagrancë dy persona, drejtues të automjeteve ku u gjetën mallrat e kontrabanduara.
“Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kaluan për kontroll të detajuar në vijë të dytë një automjet furgon me drejtues shtetasin B. L., si dhe një automjet tip ‘Volkswagen’, me drejtues F. M.”, thuhet në njoftim.
Gjetjet e kontrollit për secilin automjet:
Në automjetin e drejtuar nga F. M., u gjetën: 1.006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41.000 tableta, 2.194 celularë
Në furgonin e drejtuar nga B. L., u gjetën: 62 thasë me duhan, me një peshë totale prej 930 kilogramësh
Të gjitha mallrat e sekuestruara u morën në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetet përkatëse.
Policia thekson se operacione të tilla do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që cenojnë sigurinë ekonomike dhe rendin kushtetues.