Policia në Ferizaj ka ndaluar dy persona, njëri 20 dhe tjetri 31 vjeç, pasi janë kapur duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugët e qytetit, me shpejtësi të tejkaluar në mënyrë ekstreme.
Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, shoferi B.B. (31 vjeç), që drejtonte një veturë të tipit Audi, dhe E.K. (20 vjeç), me veturë Mercedes me targa vendore, janë kapur duke lëvizur me 113 kilometra në orë, në një zonë ku kufizimi i lejuar është vetëm 40 km/h.
Matja e shpejtësisë është kryer përmes një radari lazerik, që ka evidentuar tejkalimin e rrezikshëm të shpejtësisë në atë zonë.
Për këtë shkelje të rëndë të rregullave të trafikut, ndaj të dy shoferëve janë marrë masat e mëposhtme: Gjoba prej 500 euro për secilin;
Ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj; Shoferit me targa vendore (E.K.) i janë shqiptuar edhe 5 pikë negative në patentën e tij të drejtimit; Shoferi tjetër kishte patentë të huaj dhe ndaj tij është vepruar sipas legjislacionit përkatës.
Të dy shoferët janë përjashtuar nga qarkullimi, si masë e menjëhershme për të parandaluar rrezikun në trafik.
Policia apelon që të respektohen kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut rrugor për sigurinë e të gjithëve.