Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se situata aktuale nuk përbën një bllokadë kushtetuese, por një mungesë vullneti politik për të ndërtuar institucionet.
“Siç kam thënë që ditën e parë – bllokimi nuk është kushtetues, bllokimi është politik. Mungesa e konsensusit dhe mungesa e fuqisë politike për të formuar institucionet… krejt këto të tjerat janë lojë dhe taktizime kushtetuese. Nuk është aspak bllokadë kushtetuese,” tha Gashi për media.
Sa i përket votimit të nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe, Gashi theksoi se një gjë e tillë është detyrim kushtetues, por vendimi për qëndrimin e LDK-së do të merret brenda grupit parlamentar.
“Ajo është detyrim kushtetues, por tash po shkojmë në mbledhje të grupit parlamentar ku do të vendosim për vendimin final. Mendoj që detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen,” u shpreh ai.

