Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot se pas konstituimit të Kuvendit, partia fituese e zgjedhjeve është e gatshme të kërkojë partnerë për formimin e Qeverisë së re.
Në një konferencë për media pas seancës, Haxhiu tha se LVV-ja, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë parlamentare, përveç Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listës Serbe.
“Ne do të fillojmë procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë që kanë vullnet të jenë pjesë e qeverisë,” deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se Vetëvendosje ka zhvilluar kontakte me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Nismën Socialdemokrate për mundësinë e një koalicioni, por deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, janë hapur rrugët për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, Lista Serbe ka paralajmëruar ankesë kundër këtij emërimi.
Sipas Kushtetutës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të mandatoj partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj, Lëvizjen Guxo dhe Alternativën – për formimin e Qeverisë.
Qeveria e re duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit për t’u miratuar. Me 48 ulëse në Kuvend, LVV-së i nevojitet të paktën një partner koalicioni për të arritur shumicën.
Nëse mandati i parë dështon, presidentja ka dhjetë ditë për të zhvilluar konsultime të reja dhe për të caktuar mandatarin tjetër. Në rast se as përpjekja e dytë nuk rezulton me sukses, Kushtetuta parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.