Në prag të një prej ndeshjeve më të ndjeshme të këtij edicioni kualifikues për Kupën e Botës 2026, Kombëtarja shqiptare përgatitet për përballjen kundër Serbisë, që do të luhet të shtunën në Leskovac. Para sfidës, trajneri Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj dhanë prononcime për mediat nga stadiumi “Duboçica”, ku do të zhvillohet edhe takimi.
Elseid Hysaj, një nga lojtarët më me përvojë në ekip, është i vetmi që ruan ende kujtimet e drejtpërdrejta nga përballja e tensionuar e vitit 2014 në Beograd, ku Shqipëria u përball me Serbinë mes trazirave që ndaluan ndeshjen
Sfida e shumëpritur do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45, ndërsa për nga pesha në renditje konsiderohet si një “finale” për vendin e dytë, pozicion që siguron një biletë për në fazën play-off të Botërorit. Shqipëria ndodhet aktualisht në vend të dytë me tetë pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka edhe një ndeshje më tepër për të luajtur.
Kjo përballje është klasifikuar me risk të lartë nga FIFA, e cila ka dërguar dy oficerë sigurie në Serbi. Ndeshja nuk do të luhet në Beograd, por në Leskovac, për shkak të klimës së tensionuar politike dhe frikës nga incidentet e mundshme me huliganë serbë. Federata Serbe nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje, ndërsa të gjithë 6,500 tifozët që do jenë në stadium janë me ftesa të përzgjedhura, përfshirë të rinj nga akademitë e futbollit.
Serbia është e ndëshkuar nga FIFA me reduktim prej 20% të kapacitetit të stadiumit për këtë sfidë. Gjithashtu, bazuar në marrëveshjen mes dy federatave, asnjë tifoz kundërshtar nuk do jetë i pranishëm në këtë dhe në përballjen e kthimit.
Pas pesë ndeshjeve të para, Anglia kryeson grupin me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 dhe Serbia me 7 pikë, por me një takim më pak. Më poshtë renditen Letonia me 4 pikë dhe Andorra, që nuk ka grumbulluar ende asnjë pikë.