Policia e Kosovës ka kryer një aksion të premten në Prizren, gjatë të cilit ka bastisur një pronë të lidhur me disa persona të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 21.77 gramë marihuanë, 25 gramë kokainë, tre pajisje për bluarje droge (grinder), një armë automatike AK-47, dy shufra metali, një pajisje elektroshoku, 251 fishekë si dhe dy armë zjarri (revole).
Nga ky aksion janë arrestuar pesë persona. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
“Njësitë policore, me autorizim të prokurorit, kanë bastisur pronën e të dyshuarve meshkuj kosovarë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 21.77 gramë marihuanë, 25 gramë kokainë, tre grinder, një AK-47, dy shufra metali, një elektroshok, 251 fishekë dhe dy revole. Lidhur me rastin janë arrestuar 5 persona dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit njëri dërgohet në mbajtje, ndërsa 4 lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.