Fried: SHBA e frustruar me Kurtin, pezullimi i Dialogut Strategjik – sinjal serioz nga Uashingtoni

by engel

Pezullimi për një kohë të pacaktuar i Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë përbën një sinjal serioz paralajmërues nga Uashingtoni për qeverinë e Kosovës, vlerëson diplomati amerikan Daniel Fried, ish-ndihmës sekretar i shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Në një intervistë për Albanian Post, Fried thekson se frustrimi amerikan ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhet me “shenja të vazhdueshme të autoritarizmit” dhe me qasjen e tij të ashpër ndaj komunitetit serb në Kosovë.

banner

“Asgjë nuk është e përhershme, por pezullimi i Dialogut Strategjik pason frustrimin ndaj qeverisë së kryeministrit Kurti. Është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm,” deklaroi Fried.

Sipas tij, administrata amerikane po dërgon një mesazh të qartë paralajmërues ndaj Prishtinës, duke sinjalizuar pakënaqësi për mënyrën se si qeveria po menaxhon raportet me komunitetet pakicë dhe me aleatët ndërkombëtarë.

“Trump mund të ushtrojë presion ndaj Prishtinës dhe Beogradit”

I pyetur për qasjen e administratës së Donald Trump ndaj rajonit, Fried vlerëson se Shtëpia e Bardhë mund të përdorë masa shtesë presioni, përfshirë edhe tarifa tregtare, për të ndikuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

“Administrata e Trump ka aftësinë të shtyjë përpara arritjen e marrëveshjeve. Procesi është i vështirë, por mund t’i pëlqejë Trumpit,” shton ai.

Megjithatë, sipas Fried, mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë nuk duhet interpretuar si ftohje e raporteve dypalëshe, por si pasojë e ngadalësisë në procesin e emërimeve diplomatike të administratës aktuale.

Sulmi në Banjskë dhe roli i Serbisë

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, diplomati amerikan thekson se Kosova duhet t’i ekspozojë botës përpjekjet malinje të Serbisë.

“Serbia është e aftë të organizojë sulme të tilla. Kosova duhet t’i ekspozojë ato. Marrëdhëniet më të forta me miqtë evropianë dhe me Bashkimin Evropian do ta ndihmonin Kosovën të mbrohej nga një agresion i tillë,” tha Fried.

Ai paralajmëron gjithashtu se strategjia e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të balancuar mes Perëndimit dhe Rusisë “mund të mos funksionojë më si dikur”, duke përmendur faktin se SHBA ka ndërprerë licencat që lejonin bashkëpunimin energjetik të Serbisë me kompani ruse të sanksionuara.

Mesazhi për Prishtinën

Në përfundim, Fried thekson se pezullimi i Dialogut Strategjik duhet parë si një shenjë paralajmëruese, jo si ndarje përfundimtare.

“Ky është një vendim serioz, por jo i pakthyeshëm. SHBA ende e konsideron Kosovën partnere të rëndësishme, por pret nga udhëheqja e saj të tregojë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike,” përmbyll ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy